TIRANË, 3 tetor/ATSH-Klotilda Saraçini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “brenda vitit do të fillojnë të bëhen funksionale Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë”.
Gjatë intervistës televizive Kryeministri Rama theksoi se “fillimi i tyre i bërjes funksionale nuk është të plotësohen me të gjithë vendet, është të plotësohen me atë numër vendesh që i bën funksionale”.
Kreu i qeverisë u shpreh se “dua të them diçka që e thashë edhe në parlament sot jo unë, Angela Merkel ka argumentuar në sy të të gjithë të pranishmëve ku ishim bashkë në Poznan dhe ka riargumentuar para gjithë grupit të saj parlamentar këtë; më thoni që Shqipëria s’ka Gjykatë Kushtetuese dhe ky është një problem, patjetër është një problem, por pyetja ime është; ‘Është një sukses i Vetingut apo është një dështim i sistemit? I kemi kërkuar Shqipërisë të bëjë pastrim, tani çfarë t’i themi Shqipërisë, pse e pastrove ti Gjykatën Kushtetuese në pikën që ajo s’funksionon, jo do t’i themi ‘bravo’ për këtë dhe do t’i themi ‘Po’ për negociatat dhe pastaj do t’i themi plotëso këtë që të vazhdojmë procesin e negociatave”.
Kjo, vijoi Rama, është logjika me thjeshtë e argumentuar nga një njeri i madh jo në gjatësi si unë, por shumë më të madh në aftësinë për ti thënë gjërat thjesht dhe qartë.
Kreu i qeverisë theksoi se “këtë fjali do të duhej ta kishte thënë opozita, PD, teknikët e saj në CDU, duhet ta thoshte këtë fjali për Shqipërinë, jo për mua”.
“U hapën negociatat apo nuk u hapën, dëgjoj që thonë ky është një dështim i Edi Ramës, nuk asnjë dështim personal, nuk ka fitore personale. Dështimi im do të ishte nëse Komisioni Europian nuk do të kishte thënë që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, se ata i kontrollojnë detyrat e shtëpisë. Nuk është dështimi im se Emanuel Macron shikon një Europë tjetër dhe do të rikompozojë gjithë mënyrën si është ndërtuar Europa dhe do të shikojë të gjithë metodologjinë e zgjerimit”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se “nuk e pranoj që Holanda është më ekzigjente se Finlanda, Holanda ka qëndrimin e vet legjitim, por nuk ma tregon dot mua askush që Finlanda qenka tolerante ndaj krimit dhe korrupsionit dhe Holanda qenka intolerante”. /a.g/






















