PRISHTINË, 3 tetor/ATSH/- Të diplomuarit e skemës Young Cell-programi i BE-së që financon të rinjtë e Kosovës për të studiuar në Bashkimin Europian, sot kanë ndarë përvojat e tyre personale gjatë studimeve dhe periudhës së aplikimit për bursa, të cilat kanë për qëllim ndryshimin e administratës publike dhe reformat e sundimit të ligjit.
E pranishme në këtë debat ishte edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila tha se kjo se është një mundësi e mirë e avancimit të të rinjve.
“Meqë jam nga Bullgaria edhe unë para disa vitesh gjithashtu kam përfituar një bursë nga një program i tillë, ku kam pas rastin e mirë që të shkoj në Zvicër, Londër dhe të vizitoj shumë vende, dhe ja ku jam tani. Rrugën e keni përpara, po të mos kisha këtë mundësi, mund të them që është një shans shumë i mirë, sepse të gjithë e dini sa kushton një vit i studimeve për të gjithë ju në Londër apo Berlin, apo kudo që jeni. Kjo është një dorë e zgjatur e bashkësisë europiane”, tha ajo.
Krahas kësaj, Apostolova tha se procesi i përzgjedhjes së aplikantëve është shumë transparent dhe nuk bëhet nga institucionet kosovare.“Procedurat e përzgjedhjes janë tejet transparente, dhe nuk bëhet nga institucioni i juaj, jo vetëm për Kosovën, por kudo në botë. Ne sjellim njerëz që janë ekspert, profesionistë të vërtetë. Dëshirojmë që të depërtojmë te secili, te çdo shtresë e shoqërisë që të ofrojmë mundësi, njerëz të minoriteteve, që nuk janë të barabartë si vëllezërit e motrat”, tha Apostolova.
Kjo skemë, tha ajo, është instrumenti më i mirë për të ndryshuar administratën publike në Kosovë, për ç’ka sipas saj, BE mbështetjen më të madhe e ka në sundimin e ligjit, e reformat e drejtësisë.
/KosovaPress/












