Meta shprehet brenda javës për draftopinionin e Komisionit të Venecias

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi deklaron se brenda javës institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar raportin e tij për Draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias.

Blushi thekson se kjo bëhet “gjithmonë në vazhdim të transparencës dhe rëndësisë së çështjes në fjalë, që meriton vetëm shterim kushtetues, ligjor, profesional dhe faktik, larg çdo ndikimi politik dhe të dyshimtë”.

“Zero shkelje të Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të Gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian!” – shtoi Blushi.

Komisioni i Venecias në opinionin e publikuar të premten konstaton se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Sipas opinionit, thuhet se presidenti nuk ka kompetencë për të bërë diçka të tillë dhe se anulimi i zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.

“Në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situatë që plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe në ato raste Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – e natyrës së posaçme – për të shtyrë zgjedhjet”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.