TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Fusha sportive në njësisë 7 në rrugën “Kel Kodheli” në kryeqytet e cila u dëmtua nga tërmeti, do të rikonstruktohet.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila teksa vizitonte çdo familje të njësisë 7 në rrugën “Kel Kodheli”, që u prek nga lëkundjet e tërmetit takoi disa vogëlushë që i treguan se si ishte dëmtuar fusha sportive.
“Teksa vizitonim çdo familje të njësisë 7 në rrugën “Kel Kodheli”, që u prek nga lëkundjet e tërmetit, një moment ishte disi më i veçantë. Disa vogëlushë, braktisën një çast lojën e tyre dhe me hapat e vegjël u afruan për të na treguar së afërmi se si ishte dëmtuar fusha sportive. Brenda portretit të tyre fshihej një botë e tërë pafajësie ku lëkundjet sizmike ngjanin me magjinë që përdorin superheronjtë e përrallave, shumë larg realitetit”, theksoi Gjonaj.
Ne, tha Gjonaj, “nuk jemi të tillë, por i premtuam se fusha do të rikonstruktohet plotësisht dhe do të bëhet gati për lojën e radhës sa më shpejt”.
Ministrja Gjonaj ishte e shoqëruar nga kryetari i këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi.
/gj.mima/r.e/























