TIRANË, 23 shtator /ATSH/ – Marrë shkas nga rreshjet e dendura të shiut, Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit rrugor. Policia i tërheq vëmendjen drejtuesve që të mos tejkalojnë shpejtësinë 50 km/h nëse dukshmëria në rrugë është më e vogël se 100 metra.
Moti i keq që ka përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Krujën dhe Lezhën pritet të zgjasë disa orë prandaj për këtë arsye Policia Rrugore ka listuar masat që drejtuesit e mjeteve duhet të marrin për të mos u përfshirë në aksidente.
Në situatën e rënduar të motit në tunele, në hyrje dhe në brendësi të tyre:
- Zvogëloni shpejtësinë;
- Aktivizoni ajrin riqarkullues të kabinës së mjetit;
- Nëse konstatohet rrezik ndaloni para hyrjes së tuneleve;
- Mbani krahun e djathtë;
- Respektoni shpejtësinë e lejuar të treguar nga sistemi i sinjalizimit;
- Aktivizoni sinjalin bllokues në rast rreziku;
- Bëni kujdes nga ndryshimi i kushteve atmosferike, mbi sipërfaqen e rrugës;
- Bëni kujdes nga ndryshimi ndriçimit në hyrje dhe dalje të tunelit.
Në raste përfshirje aksidentesh duhet të mbani parasysh:
- Mos lëvizni nga vendngjarja;
- Telefononi menjëherë në numrin 112 dhe prisni mbërritjen e ndihmës së parë;
- Jepni informacion për emrin dhe numrin tuaj të telefonit, vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe nëse nevojitet ndërhyrja;
- Aktivizoni sinjalin bllokues të rrezikut;
- Sigurohuni që jeni të dukshëm nga të tjerët (vishni jelek fosforeshentë) dhe evitoni mundësinë e ndodhjes së ndonjë aksidenti tjetër ose rëndimin e pasojave;
- Vendosni trekëndëshin e rrezikut në distancë të mjaftueshme;
- Ndaloni në të djathtë të karrexhatës nëse është mundësia;
- Përdorni mjetet e ndihmës së parë;
- Largimi nga vendi i ngjarjes, rrezikon ndalimin dhe arrestimin e menjëhershëm, përveç pezullimit të lejes së drejtimit.
- /j.p/






















