TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto, u shpreh të shtunën në mbrëmje për ATSH-në, “se deri tani nuk ka njerëz të lëndur nga tërmeti dhe stafi i prefekturës është në terren për të ndjekur çdo situatë që mund të ketë shkaktuar tërmeti në objekte dhe banesa”.
Nasto tha se, si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit, një objekt banimi në lagjen 4 Durrës, ka pësuar krisje në të gjithë gjatësinë e saj nga lart-poshtë. Banorët e kësaj banese kanë dalë jashtë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Nasto theksoi se situata është në monitorim të pandërprerë në çdo drejtim, për t’ju gjendur pranë çdo individi që ka nevojë.
Tërmeti që ra të shtunën pasdite në vendin tonë, ishte me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë. Epiqendra ka qenë 30 km në veri të Durrësit. Në bregdet afër kepit të Rodonit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit. e.xh/























