Ballina Flash

FOTO/ Të miturit e Institutit të veçantë Kavajë, takim me librin

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ – Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj zhvilluan një takim me të rinjtë e Institutit të veçantë të Kavajës, në Bibliotekën Kombëtare mbi rëndësinë e të lexuarit dhe librit.

“Së bashku me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe dy miqtë tanë, shkrimtarin Loer Kume, fitues të Çmimit “Kadare” në Letërsi dhe përkthyesin dhe pedagogun Erion Kristo, kaluam një paradite të veçantë me të rinjtë e Institutit të veçantë të Kavajës. Nuk mund të gjendej një ambient më i mirë se Biblioteka Kombëtare, për të folur jo thjesht për librin, për rëndësinë e të lexuarit, por edhe për të ardhmen, për fokusin që secili prej këtyre të rinjve duhet të ketë në jetën e vet, pasi të dalin nga ky institut. E impresionuar nga njohja e tyre mbi letërsinë. Njihnin Eluard-in, Hygonë, Dumas…”, shprehet ministrja Margariti.

Ministrja Margariti falenderoi për këtë takim mjaft domethënës i cili ju vjen në ndihmë këtyre të rinjve, ministren Gjonaj dhe stafin e Bibliotekës Kombëtare.

Gjithashtu ministrja Margariti tha se, “Erion dhe Loer faleminderit, që biseduat me ta si me miqtë tuaj dhe ndatë eksperiencat si “çuna lagjesh” të dikurshëm, që i vutë vetes një qëllim, për t’u bërë të denjë për shoqërinë. Faleminderit edhe për librat që dhuruat për bibliotekën e institutit”.

“Si nënë dhe si ministre, do të doja të bënim më shumë për këta të rinj, që ata të mund të gjejnë veten e tyre në shoqëri. Dhe kultura është pa dyshim rruga e duhur”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se, “jam e kënaqur që paketa jonë rehabilituese dhe riintegruese e hartuar për të miturit e dënuar, vijon të japë fryte çdo ditë. Pavarësisht gabimit që kanë kryer në jetë, ata meritojnë të qëndrojnë pranë shoqërisë për të dhënë reflektim dhe për të marrë faljen e munguar”.

“Me mbështetjen edhe të ministres së Kulturës znj. Elva Margariti, zgjodhëm të dialogojmë gjerësisht së bashku në Bibliotekën Kombëtare për librat, magjinë e shkrimeve dhe procesin e çmueshëm të leximit. Më erdhi mirë që shumë prej tyre kishin lidhje të veçanta me poezinë apo tregimet e shkurtra, duke na rrëfyer disa prej tyre”, u shpreh Gjonaj.

“Si ministre Drejtësie, jam angazhuar plotësisht për t’i ofruar mbështetje edukative dhe sociale deri në rehabilitimin e tyre të plotë, pasi që në krye të punës sime kam iniciuar dhe inkurajuar zbatimin në mënyrë efikase të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit”, tha ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj /a.a/j.p/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPogradec/ Largohen mbetjet inerte nga zona pranë aneksit sportiv
Artikulli tjetër“Juventus” me entuziazëm drejt Madridit, rikuperohen Pjaniç e Danillo