PD: Mashtrim ulja e papunësisë në 11,5%

TIRANË, 13 Shtator /ATSH/ – Partia Demokratike e cilësoi sot si mashtrim uljen e papunësisë në nivelin 11,5%.

Nga selia e PD, Ines Nurja tha në një dalje për mediet se, investimet e huaja, fuqia blerëse, besimi tek ekonomia janë në rënie.

‘Asnjë tregues domethënës nuk justifikon realitetin e manipuluar me papunësinë. Ulja e papunësisë në nivelet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian rrëzohet edhe nga të dhënat e vetë INSTAT-it apo të institucioneve të tjera të specializuara, të cilat pohojnë se çdo tregues i rëndësishëm i ekonomisë është në rënie”, tha ajo.

“Së pari, është anketa e publikuar nga Banka e Shqipërisë në lidhje me treguesin e besimit tek bizneset dhe konsumatorëve. Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0,7 pikë përqindje dhe ai i besimit të konsumatorit ra me 2,2.

Së dyti, sipas një publikimi tjetër nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e dytë, që pohon se investimet e huaja direkte patën rënie me 13,2%.

Së treti, treguesit e inflacionit, që kanë direkt lidhje me fuqinë blerëse të qytetarëve, janë në rënie. Në tremujorin e rritjes falco të punësimit inflacioni ishte 1,3 deri në 1,5, që tregon se fuqia blerëse e njerëzve ka rënë dhe shkaku kryesor për këtë është papunësia.

Së katërti, numri i bizneseve të falimentuar në këtë 3 mujor të artë sipas Edi Ramës, është rritur ndjeshëm. Në muajt prill, maj, qershor më shumë se 2 mijë biznese mbyllën aktivitetin e tyre”, theksoi Nurja.

Sipas saj, “vetëm në realitetin mashtrues të Edi Ramës ndodh që të deklarohet punësimi i një numri rekord njerëzish, kur rekordi i vërtetë është falimentimi i bizneseve, braktisja e ekonomisë nga investitorët e huaj, rënia e fuqisë blerëse të qytetarëve”.

Ky realitet, theksoi Nurja, “duhet ndryshuar sa më parë dhe mënyrë e vetme për ta ndryshuar atë janë zgjedhjet e lira e të ndershme”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.