Ballina Aktualitet

Hajdari: Koncesionet të dorëzohen tek SPAK-u

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Kryetarja e grupit parlamentar demokrat në Kuvend, deputetja Rudina Hajdari u shpreh sot se dy rrugët që do të jepen me koncesion Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat duhet të dorëzohen në SPAK, sapo institucioni të ngrihet.

Duke folur sot në seancën plenare ku po diskutohen dekretet e Presidentit, Hajdari tha se “kontratat koncesionare të fundit të Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat vijnë si oferta të pakërkuara. Si ligji “Fusha”, këto janë kontrata që qeveria kërkon të mbulojë paligjshmërinë përmes votës së deputetëve. Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë miratimin për këto dy projekte, që rrezikojnë buxhetin e shtetit”.

Hajdari tha se “shkeljet e rënda ngarkojnë me përgjegjësi nga specialisti më i thjeshtë, deri te vendimmarrja e Këshillit të Ministrave. Ne duhet të bëjmë kallëzime në lidhje me këto dy ligje. Edhe nëse nuk merret Prokuroria e Përgjithshme, duhet t’i denoncojmë nga ligji ‘Fusha’ deri te koncesionet e rrugëve. Këto dosje duhet të dorëzohen sapo të ngrihet SPAK-u. Duhet të mbrojmë të drejtën tonë”, tha ajo.

Hajdari gjithashtu falenderoi Kuvendin dhe demokratët për nderimin në ceremonitë për kujtimin e 21-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa u ndal edhe te lapsusi i seancës së kaluar.

“Ju falenderoj nga zemra për nderimin që i bëtë sot tim ati. Falenderoj edhe të gjithë demokratët që morën pjesë sot në aktivitetet për nderimin e babait tim. Shpeshherë kërkohet të zhvendoset vëmendja dhe ajo që preku nga seanca e kaluar është fakti që u përmend fjala përçarje, kjo fjalë nuk është e duhura, duhet të dalim në Shqipëri për të ngritur të djathtën shqiptare. Kjo dashuri më mban gjallë kujtimin brenda meje. Kurrë nuk do të ishte në synimin tim ta përçaja”, tha Hajdari.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSamiti Botëror për Vaksinimin, Manastirliu në Bruksel: Shqipëria e angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale
Artikulli tjetërPORTUGALI – Një muze kushtuar diktatorit Salazar ngjall debat