TIRANE, 8 shtator/ATSH/- Në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe në zbatim të planit operacional për kontrollin e produkteve energjetike, Departamenti i Analizave dhe Aposteriorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ka kryer kontroll për 8 magazina të lira për karburantet me vendndodhje në Porto Romano, Lezhë dhe Vlorë; 4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror me vendndodhje në Vlorë dhe Porto Romano si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto në Fier, Ballsh dhe Elbasan.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj bëri të ditur sot rezultatet e kontrollit mbi të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz, të gatshëm për konsum.
Gjokutaj tha se kontrolli u krye për periudhën 2018 – deri në gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll.
Grupi i kontrollit gjithashtu, përllogariti dhe analizoi firot natyrore e teknike të njohura sipas bazës ligjore në fuqi.
“Në përfundim të kontrollit, për çdo operator që ka rezultuar me sasi të munguara janë llogaritur detyrimet doganore të munguara dhe janë aplikuar sanksionet përkatëse sipas Kodit Doganor dhe Ligjit për akcizat. Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për 752,015 litra karburant dhe 77,451 litra gaz. Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro)”, deklaroi Gjokutaj.
Si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi, më konkretisht: ROYAL TRADE COMPANY sha; PORTO ROMANO OIL sha; KASTRATI sha; GENKLAUDIS sha; EUROPETROL sha; EROIL sha; BOLUNMEZ PETROL sha; LA PETROLIFERA ITALO – ALBANESE sha; MARE OIL Sh.A dhe TOSK ENERGJI Sha.
Bazuar në mangësitë e evidentuara, përveç penalizimit të subjekteve, ka nisur procesi i verifikimit të përgjegjësive brenda administratës doganore. Aktualisht janë liruar nga detyra 5 doganierë mbikqyrës, janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë.
Kreu i Doganave nënvizoi se “jemi të ndërgjegjshëm që lufta ndaj informalitetit kërkon edhe analizimin dhe evidentimin e faktorëve të brendshëm që kanë ndikuar në zhvillimin e këtij fenomeni, si dhe marrjen e masave dhe nxjerrjen e përgjegjësive për çdo individ apo strukturë të institucionit”.
Gjokutaj tha se ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një Plan Operacional Veprimi i vazhdueshëm me objektiv të qartë: asnjë kompromis ndaj informalitetit dhe çdo operatori që do rezultojë me parregullsi.
“Synimi i vetëm është mbrojtja e biznesit të rregullt dhe e konsumatorëve, duke garantuar që barra fiskale ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë bizneset dhe taksat e mbledhura shkojnë për shërbime dhe investime për qytetarët”, përfundoi Gjokutaj. /a.g/























