Prerja e paligjshme e pyjeve, finalizohet operacioni “Maranaj” në Shkodër


TIRANË, 3 shtator/ATSH/A. Fortuzi/- Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin “Maranaj”, për parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë së Shkodrës, në zbatim të planit të posaçëm në shkallë vendi, kundër informalitetit dhe krimeve mjedisore, ka organizuar operacionin “Maranaj”, që është ende në vijim. Deri tani, nga shërbimet e Policisë është bërë sekuestrimi i rreth 30 m³ lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme, që transportohej me kamionë në drejtim të Shkodrës.

Janë proceduar penalisht për veprat penale ”Fshehja e të ardhurave” dhe ”Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit A.N., A.C. dhe R.K., pasi u kapën në flagrancë gjatë operacionit në bjeshkët e Domnit të njësisë administrative Postrribë duke transportuar me kamionët e tyre në drejtim të Shkodrës lëndën drusore, për të cilën nuk dispononin dokumentacion përkatës.

Gjithashtu, u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Z.GJ., me detyrë inspektor i pyjeve, pasi nuk ka ushtruar kontroll në zonën që mbulon.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital duke u garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.