Situata e virozave normale, Pediatri Mandri: Shtimi i rasteve në Urgjencë nga anashkalimi i qendrave shëndetësore

TIRANË, 3 shtator/ATSH/A. Fortuzi/- Pediatri Bektash Mandri ka theksuar se situata e virozave në vend është normale dhe shumë prej rasteve që paraqiten te urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, janë raste ambulatore.

Sipas tij, numri i vizitave është rreth 20-25 në ditë, por gjithsesi ai nënvizon se mungon sistemi i referimit, pasi shumë raste janë ambulatore dhe jo urgjence. “Virozat janë në një stad normal siç kanë qenë në të gjithë verës. Nuk është se kemi ndonjë stad më të lartë të gjendjeve virale”, tha Bekteshi.

“Problemi është që një pjesë e mirë e pacientëve, drejtohen në QSUT, duke anashkaluar qendrat e tjera shëndetësore. Unë do të thoja se atje ku ato e anashkalojnë shërbimin për shkak të kulturës apo për rrethana të tjera, atje kanë shërbimin cilësor”, sqaroi ai.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se mjeku ambulancës është ai që referon kurën që duhet të marri pacientin, apo nëse ka nevojë për urgjencë. Prandaj pacientët duhet fillimisht të paraqiten në qendrat shëndetësore, që mjeku ambulatori të vlerësojë me kujdes gjendjen e pacientit. Mjeku ambulator ka kohën e duhur për ti bërë një vlerësim sa më të mirë pacientit, çka te ne për shkak të fluksit të shtuar nuk na jepet kjo mundësi, për ta vlerësuar siç duhet situatën”, tha Bekteshi

“Nga analiza që kemi bërë ne, na rezulton se 90% e pacientëve që paraqiten në urgjencë nuk kanë nevojë të vijnë te urgjenca, pasi janë për kushte ambulatore. Arsyeja që jemi këtë situatë është mungesa e sistemit të referimit. Për sa kohë qytetarët gjejnë një derë të hapur, për aq kohë ato do shkojnë te ajo derë, prandaj duhet të merret një vendim nga drejtuesit e QSUT për këtë problematikë”, tha ai .

“Rastet e urgjencës duhet të jenë raste të tjera.  20-25 vizita në ditë janë numër normal vizitash. Kemi përballuar 40 vizita në ditë.  Është e papranueshme që ky numër të shkojë 50-60 vizita dhe këtu hyn sistemi i referimit. Është e pamundur që të përballohen 60 vizita”, tha Bekteshi.

Ai gjithashtu udhëzoi të kihet kujdes higjiena e fëmijës dhe për të gjitha rastet është e rëndësishme që fëmija të paraqitet në çdo rast te mjeku ambulator dhe është ai që referon rastin se si duhet të përballet me problemin shëndetësorë. “Mjekët bëjnë sensibilizimin e shoqërisë për realizimin e vaksinave. Ata fëmijë që kanë bërë vaksinën nuk kanë nevojë për ta përsëritur, ndërsa ato që se kanë bërë duhen bërë. Rëndësia e kësaj lidhet dhe me faktin se nëse një fëmijë preket nga fruthi, mund ta përhapi atë dhe te të tjerë duke krijuar dhe një epidemi. Vaksina e fruthit, meqë u citua, duhet theksuar nuk shkakton autizëm. Sot kemi shumë raste të autizmit, gjë që para viteve 2000 nuk ndodhte, pasi numërohenin me gishtat e një dore këto raste. Arsyeja e kësaj është fakti se vajzat kanë nisur të konsumojnë më shumë duhan, drogë-ra dhe forma e jetesës e prindërve ka ndryshuar shumë dhe kjo ka sjell dhe këtë rritje numri”, theksoi Bekteshi.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.