Siguria në rrugë, Policia e Kukësit masa shtesë në kulmin e sezonit Veror

TIRANË, 24 gusht /ATSH – I. Vata/ – Policia Rrugore në qarkun Kukës ka marrë masa shtesë në kuadër të shtimit të fluksit të turistëve në kulmin e sezonit veror.

Policia Rrugore Kukës ndodhet në shërbim të qytetarëve 24 orë.

“Sezoni veror është në pikun e tij dhe përballimi me sukses i fluksit të shtuar të mjeteve në territorin tonë bën të rritet prezenca e Patrullave te Qarkullimit përgjatë gjithë 24 orëve. Orientimi i patrullave të policisë në kryerjen e detyrës është krijimi i kushteve sa më favorizuese për drejtuesit e mjeteve. Duke krijuar në kohë rekord rrugë të lirë për mjetet e shërbimit publik në veçanti dhe ato qytetar në përgjithësi”, shprehet policia

Po ashtu policia sqaroi se “një vëmendje e shtuar ka qenë në komunikim dhe në krijimin e kushteve favorizuese te çdo shtetasi të huaj drejtues mjeti, duke hequr dorë nga kontrolli rutin i dokumentacionit, përveç rasteve kur drejtueset e mjeteve janë përfshirë në aksidente me pasoja gjë e cila në qarkun tonë nuk ka ndodhur. Drejtuesit e mjeteve që kanë qenë të organizuar me dy a më shume autobuzë apo grupe motoristësh janë udhëhequr në shumtën e rasteve në destinacionin e kërkuar. Kjo gjë është bërë dhe me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe trupit Diplomatik, ku shërbimet tona janë falenderuar dhe me letër mirënjohëse si rasti i ambasadorit italian”.

Po ashtu policia apelon duke iu bërë thirrje qytetareve përdorues të rrugës këmbësor apo drejtues të mjeteve mbasi sezoni është në pikun e vet të bëjnë kujdes ndaj mospërdorimit te pijeve alkoolike, drejtimit te mjeteve pa leje drejtimi, manovrimeve të gabuara, rritjes së shpejtësisë, përdorimit të rripit të sigurimit, mos përdorimit të celulareve, respektimit të sinjalistikës rrugore.

Policia e Kukësit tha se ambasadori italian në Tiraën Alberto Cutillo gjatë vizitës në Valbonë i ka dërguar letër Komisarit të qarkullimit Rrugor në Kukës për punën e policisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.