TIRANË, 23 gusht /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Mat, pas marrjes së mandatit të kryetarit të ri të bashkisë Agron Malaj, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ka nisur punën punën për pastrimin e qytetit nga mbetjet urbane, pastrimin e kanalizimeve dhe rikonstruksionin e stadiumit “Liri Ballabani”.
Kryetari i ri i bashkisë Mat, Agron Malaj deklaroi se që ditën e parë punonjësit e bashkisë iu kthyen punës dhe nisën me pastrimin e qytetit të Burrelit dhe njësive administrative.
“Vazhdon puna për pastrimin e ambienteve të qytetit. Po bëhet e mundur heqja e të gjitha inerteve nga rrugët hyrëse dhe dalëse si dhe në unazën e qytetit”, shprehet kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj.
Sipas tij, po punohet jo vetëm për pastrimin e qytetit, por ka nisur puna prej disa ditësh për pastrimin e rrugëve dhe kanaleve anësore që ishin bllokuar nga bimët e egra dhe inertet e ndryshme.
Po ashtu, puna ka nisur edhe për rikonstruksionin e stadiumin “Liri Ballabani” dhe me 14 shtator do të jetë gati për të pritur ndeshjet e radhës. /j.p/























