Bashkia Dibër nis aksionin për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 21 gusht /ATSH – I. Vata/ Bashkia Dibër ka nisur sot aksionin për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Peshkopisë.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj thekson se zaptimi i hapësirave publike nga bizneset është një problem i mbartur prej kohësh dhe shumë shqetësues për qytetarët në Peshkopi.

“Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë çliruar sot një pjesë të konsiderueshme të hapësirave publike që shfrytëzoheshin nga lokalet dhe dyqanet për qëllime biznesi, duke gjetur edhe mirëkuptimin e këtyre të fundit”, shton ai.

Po ashtu Imeraj thekson se ky aksion i nisur sot, do të vazhdojë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, dhe nuk do të lejohet në vazhdimësi shfrytëzimi i trotuarëve, bulevardit dhe çdo hapësire tjetër publike për biznesin”, shprehet ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.