TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “lufta kundër informalitetit është detyrë e strukturave të shtetit, po është njëkohësisht edhe një sfidë e shoqërisë sonë”.
“Në këtë fazë kalimi sa të mundimshëm, aq edhe të domosdoshëm, nga një Shqipëri ku shteti ishte përtokë, drejt një Shqipërie, ku shteti duhet të garantojë barazinë e të gjithëve para ligjit dhe respektimin e ligjit nga të gjithë, qeveria dhe konsumatori duhet të jenë bashkë kundër informalitetit”, tha Rama.
Aplikacioni i ri STOP INFORMALITETIT, sipas Ramës, “është një mundësi e re, e thjeshtë dhe efikase për çdo qytetar që ndeshet me informalitetin, kudo ku duhet të paguajë dhe nuk i jepet kuponi përkatës”.
“Në një kupon nuk është vetëm vlera që i takon subjektit që ju shet një mall apo ju jep një shërbim, po është edhe vlera që i takon konsumatorit dhe shtetit. Po jo vetëm kaq, aplikacioni STOP INFORMALITETIT është një mundësi e re, e drejtpërdrejtë dhe konfidenciale gjithashtu, për çdo punonjës që përballet me informalitetin në punë, si pasojë e pronarit që paguan në të zezë apo nuk paguan sigurimet për shëndetin e për pensionin e punonjësit”, tha Kryeministri.
Aplikacioni STOP INFORMALITETIT, sipas tij, “është një mundësi e re edhe për çdo biznes të ndershëm, që të informojë, në rrugë konfidenciale dhe të shpejtë drejtuesit e strukturave shtetërore, për konkurrentë të pandershëm apo inspektorë që kërkojnë rryshfet ose sillen keq gjatë vizitave tatimore”.
Rama tha se gjatë kësaj periudhe starti të luftës frontale kundër informalitetit, janë kryer jo pak inspektime falë denoncimeve të qytetarëve, në numrin tim të telefonit apo të kolegëve ministra dhe drejtuesve të strukturave të përfshira në këtë përpjekje; janë liruar plazhe, gjobitur lokale, bllokuar hotele dhe është rritur në tërësi fryma anti abuzim, çka duket qartë në rritjen e konsiderueshme të kuponave.
“Aplikacioni i ri STOP INFORMALITETIT, i cili nga sot mund të shkarkohet lehtësisht në çdo smartfon, ju lidh në kohë reale me shtabin e kësaj lufte që nuk do të ndalet asnjë ditë dhe që, së bashku do ta fitojmë për Shqipërinë që duam. Aplikacionin STOP INFORMALITETIT gjendet në App Store https://apps.apple.com/…/a…/stop-informalitetit/id1476196781 Jepi, shkarkoje dhe mos i’a përto asnjë abuzuesi që të shfaqet përpara”, u shpreh Rama./m.m/






















