Ballina Bota

ARKEOLOGJI – Zbulohet fosili i një pinguini gjigant

VELINGTON, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Fosili i një pinguini me përmasa pothuajse sa të një njeriu u zbulua në ishullin jugor në Zelandën e Re, njoftuan sot shkencëtarët.

“Ky zog ujor gjigant, i quajtur “crossvallia waiparensis”, ishte 1,6 metra i gjatë dhe peshonte 80 kilogramë duke bërë atë pinguinin më të gjatë dhe katër herë më të rëndë se pinguini Perandori aktual”, theksuan ata.

Ai jetonte në Paleocene, 66 milionë vite më parë.

Kockat e njërës këmbë të këtij zogu gjigant u gjetën vitin e kaluar nga një gjahtar amator.

Ekzistenca e një specie të re u konfirmua këtë javë në një artikull të revistës “Alcheringa: An Australasian Journal of Palaeontology”.

“Ky është fosili i dytë i pinguinit gjigant të Paleocene-s zbuluar në të njëjtën zonë”, nënvizoi Vanesa De Pietri, studiuese në Muzeun e Canterbury-t.

“Kjo riforcon teorinë tonë, sipas të cilës pinguinët arrijnë përmasa të mëdha në fillim të evolucionit të tyre”, theksoi ajo.

Zelanda e Re është e njohur për zogjtë gjigant, të zhdukur sot, si moa (Dinornis), që u zhduk në fund të shekullit XVIII, zogu më i madh që kishte ekzistuar ndonjëherë, i paaftë për të fluturuar, 3,60 metra i gjatë dhe rreth 200 kilogramë ose shqiponja Haast rreth tre metra e gjerë.

Javën e kaluar,  muzeu i Canterbury-t njoftoi zbulimin në Zelandën e  Re të fosilit të një papagalli gjigant që ishte rreth një metër i gjatë dhe peshonte shtatë kilogramë. Ai kishte jetuar 10 milionë vite më parë./

/ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshimet e ligjit antiduhan/ Nis monitorimi në terren, 6-fishim gjobave për shkelësit e përsëritur
Artikulli tjetërUASHINGTON – SHBA: Pekini të respektojë autonominë e Hong Kongut