TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka përfunduar një tjetër investim të rëndësishëm, që u vjen në ndihmë banorëve të Lagjes së Re në Ndroq, duke asfaltuar disa rrugë të saj dhe duke sjellë në këtë zonë standardet më të mira në infrastrukturën rrugore.
Por ata që përfitojnë edhe më shumë janë fëmijët e kësaj lagjeje, të cilët studiojnë në shkollën “Ymer Kurti”. Teksa inspektoi përfundimin e punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky mandat i dytë do të ketë një vëmendje të veçantë tek fshati dhe tek përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale.
“Ky do jetë një mandat ku do e kemi fokusin kryesisht te fshati. Nuk mund të kemi një Tiranë e cila ecën me 2 shpejtësi: me të pestin te Sheshi “Skënderbej” dhe rri në vend kur vjen puna te Ndroqi, te Vaqarri, te Shën Gjergji, apo në Petrelë. Jam shumë i lumtur sot që një nga lagjet e reja të Ndroqit ka një rrugë me cilësi”, tha Veliaj.
Rruga e re jo vetëm do të përmirësojë infrastrukturën, por do të rrisë edhe vlerën e pronës.
Kryetari i bashkisë siguroi se në këto ditë të gushtit vëmendja do të jetë tek shkollat, kopshtet, çerdhet dhe infrastruktura e tyre ndihmëse, që shtatori t’i gjejë gati për të mikpritur fëmijët.
Veliaj u shpreh se është vetëm çështje kohe që investime të tilla të prekin të gjitha zonat në kryeqytet. Ai ftoi qytetarët e Tiranës se tani që edhe infrastruktura është përmirësuar të konsumojnë produkte të zonës, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ekonominë lokale. “Ftesa ime, tani që është rregulluar një pjesë e madhe e lagjeve të Ndroqit, është rregulluar aksi Tiranë-Durrës me kalim nga Ndroqi, ta shfrytëzojnë sa më shumë qytetarë, jo vetëm si një kalim alternativ për të evituar trafikun e autostradën, por dhe një rrugë më piktoreske, ku mund të blesh prodhime organike për të ndihmuar ekonominë lokale”, deklaroi Veliaj.
Investimi i bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrugëve në Ndroq, ka përfshirë jo vetëm asfaltimin, por edhe sistemimin e ujërave të zeza dhe të bardha, trotuare, ndriçim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale. z.tosku/






















