FOTOGALERI/ Rilindja e Lagjes Historike të Vlorës

Rilindja e Lagjes Historike të Vlorës

TIRANË, 7 Gusht /ATSH/ -Rilindja e Lagjes Historike të Vlorës është drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotoalbum  të kantierit të Rilindjes së Lagjes Historike të Vlorës, ku tregohet gjendja që ndodhej kjo zonë dhe transformimi rrënjësor që ka pësuar ajo pas ndërhyrjeve.

“NO COMMENT – Fotoalbumi i kantierit të Rilindjes së Lagjes Historike të Vlorës”, është shprehur Kryeministri Rama.

Projekti me investimet e qeverisë përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Në zonën qendrore të Vlorës ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, që e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.

Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera të qytetit nga pikëpamja arkitektonike.

Zona në të cilën po zbatohet projekti për “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të ansamblit ndёrtimor ‘Qendra Historike Vlorë’”, është pjesë e qytetit të Vlorës që ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga “Justin Godard”, ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek “Sheshi i Flamurit”, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.

Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe “Xhamia e Tabakëve”, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e 19-të, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.