“Juventus”- Lukaku, problemi mbetet Dybala          

TIRANË, 3 gusht/ATSH/- “Juventus” dhe “Manchester United” vijojnë tratativat për realizimin e transferimit të Romelu Kukaus në Torino te kampionët e Italisë dhe argjentinasin Dybala te “Djajt e Kuq” në Premier Ligë.

Sipas asaj,  që raportojnë mediat italiane, bardhezinjtë dhe “United” kanë gjetur dakordësinë e plotë mes tyre për shkëmbimin mes belgut dhe sulmuesit fantazist të zonjës së vjetër. Po ashtu 26-vjeçari i “United” ka gjetur marrëveshjen me “Juventusin” për të nënshkruar një kontratë 4-vjeçare, ku do të përfitojë 9 milionë euro në sezon. Ndërkohë, Dybala ende mbetet larg një marrëveshje me djajt e kuq.

Sipas mediave britanike, argjentinasi që ende nuk ka nisur përgatitjet me bardhezinjtë kërkon 12 milionë euro në vit, teksa menaxheri i tij, Jore Antun kërkond he një komision për prej 15 milionë euro për realizimin e këtij transferimi.  Këto kërkesa të Dybala duken si tentativa për mos realizimin e këtij transferimi.

“Sportmediaset” në Itali, sqaron se problemi nuk është vetëm rroga, pasi mbi këtë mund të negociohet në vijim, por dëshira e futbollistit. Dybala nuk duket i bindur për këtë transferim. Numri 10 i “Juventusit” ka marrë sinjale të qarta nga klubi bardhezi që nuk është në qendër të projektit. Ai parashikohet të nis përgatitjet për sezonin e ri brenda datës 5 gusht, teksa brenda kësaj date pritet dhe një përgjigje përfundimtare për “Manchester United”, kjo dhe për faktin se merkato në Angli mbyllet të premten e ardhshme dhe koha fizike për të realizuar dhe përfunduar një transferim të kësaj natyre nuk është e madhe. .

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.