Ballina Aktualitet

Bllokimi i bashkisë së Kavajës/ Spiropali: Dëshmi e dëshpërimit të opozitës

TIRANË, 30 korrik/ATSH/- Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, e cilësoi sot nga Kavaja bllokimin e bashkisë nga militantët e PD-së si “një dëshmi të dëshpërimit të opozitës dhe katandisje të Partisë Demokratike në një forcë, e cila forcën e përdor si një arsye dhe jo arsyen për forcë”.

Në një deklaratë për mediet, Spiropali theksoi se “ne nuk kemi ndërmend as të përplasemi fizikisht as ta marrim me dhunë një godinë apo një funksion që na takon me ligj. Bashkitë, kryetarët e bashkive apo këshillat bashkiakë si ky që u konstituua sot në Kavajë nuk janë muret, nuk janë godinat , por mishërim i sovranitetit të popullit dhe votës të tij”.

“Ne kemi vendosur që të jemi të duruar deri në fund, të respektojmë ligjin, institucionet, ishte për këtë arsye që prefektja, kryetari i qarkut dhe unë si drejtuese e politike e qarkut të Tiranës kemi ndenjur këtu për të respektuar ligjin, por këtë nuk mund ta kuptojë një forcë politike apo një kryetar bashkie, i cili kur duhet të jetë në detyrë rri në rrugë dhe kur duhet të dalë nga zyra nxjerr njerëz në rrugë si mish për top për të penguar fizikisht funksionimin e bashkisë”, – nënvizoi Spiropali.

Sipas saj, kjo është e pamundur, pasi qytetarët e Kavajës kanë votuar , qytetarët e Shqipërisë kanë votuar.

“Kryetari i ri i bashkisë u betua sot dhe do të punojë për qytetarët e Kavajës, për qytetin me punë dhe vetëm punë, ai do t’u shërbejë njësoj qytetarëve, s’ka rëndësi janë të majtë apo janë të djathtë. Për ne janë të gjithë shqiptarë, do respektojmë ligjin deri në fund dhe presim institucionet ligjzbatuese të bëjnë detyrën”, – theksoi ajo.

Spiropali u shpreh se “ligji flet qartë kryetari i ri bashkisë së Kavajës është Redi Krajli, këshilltarët janë ata që u konstituan dhe të nisin punën që nesër për t’i shërbyer qytetarëve të Kavajës pa dallim dhe në zyrën e bashkisë nuk i pengon të hyjë asnjë militant dhe asnjë çetë”.

Redjan Krali është kryebashkiaku i ri i Kavajës, ai u betua pas konstituimit të këshillit bashkiak në këtë qytet. Redjan Krali i PS-së është zgjedhur kryebashkiak i Kavajës në zgjedhjet e 30 qershorit, ku përballë kishte kandidatin e Bindjes Demokratike, Bledar Sinella./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMilot-Balldren dhe Orikum-Dukat, dy rrugët e reja që do të ndërtohen së shpejti
Artikulli tjetërProgrami “100 fshatrat”/ Infrastruktura në mbështetje të agroturizmit nga jugu në veri të vendit