TIRANË, 6 korrik /ATSH/ – Enri Canaj, një nga fotoreporterët më të rëndësishëm të brezit të ri, i dalluar për punën e tij të jashtëzakonshme lidhur me refugjatët, Greqinë e kohës së krizës dhe jetën në Shqipëri, anëtar i agjencisë më të rëndësishme të botës së fotografisë ”Magnum Photos” vlerësohet si poet i dramës së refugjatëve, sipas protagon.gr.
“Magnum Photos’ është një komunitet mendimi, një tregues i cilësisë njerëzore, një kureshti për atë që ndodh në botë, një respekt për atë që po ndodh dhe një dëshirë për ta përshkruar vizualisht”, ka thënë dikur i madhi Henry Cartier Breson, themeluesi i këtij kasti të veçantë të fotografëve më të njohur të të gjithë botës.
Çdo vit, në fund të qershorit anëtarë të kësaj agjencie legjendare takohen në Nju Jork, Londër apo Paris dhe studiojnë qindra foto për të pranuar anëtarë të rinj.
Të jesh mes gjigantëve si Bresson apo Robert Kapa është nderi më i madh.
Në elitën e fotografisë botërore, Enri Canaj, njihet për fotot tronditëse nga refugjatët, pasqyrimin e krizës greke si edhe jetën e përditshme në Shqipëri.
“Racizmin që fotografoj e kam jetuar edhe unë”, ka thënë dikur Canaj.
”Ai nuk gënjen. Canaj lindi në Tiranë në vitin 1980 dhe në 1991 shkoi në Athinë. Pasi studjoi në Leica Academy, Canaj u dallua për talentin dhe punën e rrallë artistike”, thekson protagon.gr.
Nga 2014 ai punoi në Greqi për gazetën “Kathimerini”.
Ka punuar edhe me “Ta Nea”, “Tachydromo”, “VIMA gazino”.
Fotot e tij janë publikuar nga ”Newsweek”, ”Time”, ”New York Magazine”, ”Paris Match” apo ”Monde Diplomatique”.
Ka hapur ekspozita vetjake dhe në grup në Greqi dhe jashtë saj, kryesisht mbi dramën e refugjatëve.
“Nuk jam i interesuar për fiksimin e një realiteti bruto. Unë dua të tregoj situatën tragjike të refugjatëve, por në një mënyrë të jashtëzakonshme, pa e zbukuruar atë”, thotë Canaj./ a.jor.














