Ballina Flash

Masa për sigurimin e pjesëmarrjes së pakicave kombëtare në jetën kulturore e social-ekonomike

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme miratimin e masave dhe të politikave të nevojshme për sigurimin e pjesëmarrjes së personave, që u përkasin pakicave kombëtare, në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike.

Sipas vendimit, personave, të cilët u përkasin pakicave kombëtare, u garantohet pjesëmarrje e barabartë në jetën publike, ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit.

Personat, të cilët u përkasin pakicave kombëtare, gëzojnë, në veçanti, të drejta lidhur me çështjet për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e kulturës, të traditave dhe identitetit të pakicës, së cilës ata i përkasin.

Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj, në të gjitha veprimtaritë që zhvillojnë, të trajtojnë si pasuri kombëtare pjesën e trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare, duke mbrojtur e promovuar të drejtën e tyre për pjesëmarrje të barabartë dhe efektive në jetën kulturore të vendit, në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të kulturës, traditave dhe identitetit të pakicës, së cilës ata i përkasin.

Ministria e Kulturës, në projektet me thirrje, që organizon çdo vit, të mbështesë financiarisht, bazuar edhe në nivelin cilësor, projektet e personave që u përkasin pakicave kombëtare në drejtim të mbrojtjes së identitetit kulturor, etnik e gjuhësor dhe trashëgiminë kulturore të tyre në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kriteret dhe procedurat e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të pakicave kombëtare në projekte të ndryshme bëhen në përputhje me ligjin nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, dhe udhëzimin e përvitshëm që nxjerr Ministria e Kulturës, “Për thirrjet për projektpropozime”.

Nga numri i përgjithshëm i projekteve që do të financohen, 5 (pesë) për qind e tyre të mbështeten me burime financiare, logjistike dhe/ose materiale për shoqata kulturore/individë, të cilët kanë aplikuar dhe që u përkasin pakicave kombëtare.

Ministria e Kulturës harton politika të posaçme, me qëllim mbështetjen e personave që u përkasin pakicave kombëtare, si dhe ata të konsideruar vulnerabël, në drejtim të mbrojtjes së identitetit të tyre kulturor, etnik e gjuhësor dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Ministria e Kulturës garanton përfshirjen e personave përfaqësues të pakicave kombëtare në procesin e konsultimit e të vendimmarrjes lidhur me çështjet që prekin personat që u përkasin pakicave kombëtare, si politikat e kuadrit ligjor dhe politikat e masat për të siguruar pjesëmarrjen në jetën kulturore të vendit, në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të kulturës, traditave dhe identitetit të pakicës kombëtare, të cilës ata i përkasin.

Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj marrin masa për krijimin e kushteve të nevojshme për pjesëmarrjen efektive të personave, që u përkasin pakicave kombëtare, sipas specifikave të çdo institucioni, në aktivitetet që ato organizojnë.

Personat, që u përkasin pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë në mënyrë të barabartë me shtetasit e tjerë dhe pa diskriminim pagesat për ndihmë ekonomike, aftësinë e kufizuar dhe shërbimet shoqërore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konsultohet me organizatat përfaqësuese të pakicave kombëtare për hartimin e kuadrit ligjor dhe të politikave, të cilat ndikojnë në situatën social-ekonomike të tyre.

Personat, të cilët u përkasin pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim nga programet aktive të tregut të punës dhe të arsimit e formimit profesional.

Personat, të cilët u përkasin pakicave kombëtare, trajtohen në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke respektuar parimin e mosdiskriminimit e të trajtimit të barabartë në veprimtaritë ekonomike të vendit.

Ministritë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi marrin masat e nevojshme dhe evidentojnë konkretisht krijimin e kushteve për të siguruar pjesëmarrjen e barabartë, pa diskriminim, dhe pjesëmarrjen efektive në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike të personave që u përkasin pakicave kombëtare.

Burimet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti vjetor, që parashikohet çdo vit për ministritë përgjegjëse për zbatimin e tij.

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJanar-qershor, 11.3% turistë më shumë se një vit më parë vizituan Shqipërinë
Artikulli tjetërBasha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë