TIRANË, 28 qershor /ATSH/ – Sot pesë studentë ekselentë i janë bashkangjitur diplomacisë shqiptare.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është shprehur se, “ky veprim është në përputhje me frymën e Paktit për Universitetin dhe pjesë e përpjekjes për përmirësimin e kapaciteteve përfaqësuese të diplomacisë shqiptare në përgjithësi! Diplomacia shqiptare, pra, përfundimisht është hapur për studentët shqiptarë me rezultate ekselente akademike!”
Ky vendim, ka theksuar Cakaj, “edhe mund të situuohet brenda nismës së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për zhvillim cilësor dhe rinovim të kuadrove të shërbimit diplomatik të Shqipërisë në tërësi”.
Së pari,ka nënvizuar ai, “qëllimi themelor i reformave në zhvillim e sipër në MEPJ është fuqizimi i diplomatëve të karrierës. Këtë duhet thënë qartë dhe zëshëm! Në këtë kuptim, ndryshimi i ligjit për shërbimin e jashtëm është i domosdoshëm për të përcaktuar kufirin e qartë të numrit të mundshëm të diplomatëve jashtë sistemit dhe po ashtu dhënien e përparësisë të padiskutueshme për diplomatët e karrierës në raport me emërimet nga jashtë”.
“Për shkak të veprimeve konkrete të deritanishme, stafi diplomatik i përfaqësive tona nëpër botë përbëhet prej më se 88% (përjashto strukturat drejtuese emërimi i të cilave tejkalon MEPJ-në) me diplomatë karriere. Deri në ndryshim të ligjit, emërimet nga jashtë sistemit do të bëhen vetëm në raste të meritave të posaçme ashtu siç është edhe rasti i ekselentëve në fjalë!”, ka shtuar Cakaj.
“Duhet nënvizuar se paralelisht me fuqizimin e shërbimit të rregullt diplomatik duhet të ndodhë gradualisht edhe rinovimi strukturorë i tij. Zbrazëtitë e reja të shkaktuara prej lirimeve nga detyra e shumicës dërmuese të punonjësve jashtë sistemit të shërbimit diplomatik duhet të shfrytëzohen si mundësi shtesë për rekrutimin e diplomatëve të rinj”, ka thënë Cakaj.
Pra, ka vijuar ai, “zgjidhja e vetme afatgjatë është rinovimi i sistemit nëpërmes rekrutimeve të reja në sistem. Rrjedhimisht, kjo ndërmarrje synon edhe sjelljen e gjeneratave të reja në shërbimin diplomatik shqiptar”.
Së dyti, ka nënvizuar Cakaj, “tashmë është zhbllokuar mekanizmi i dhënies të gradave diplomatike, përfshirë edhe nivelet e larta. Sidoqoftë, këtu vlen të theksohet se ka qenë tepër me rëndësi dhënia e përparësisë për gradat fillestare për diplomatët e rinj. Shumica e atasheve/ sekretarëve të tretë tashmë kanë marrë besimin për të shërbyer nëpër misionet diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë nëpër botë”.
Kjo, ka theksuar Cakaj, “është një masë e domosdoshme për të rienergjizuar misionet diplomatike por edhe për të rritur aftësitë profesionale të diplomatëve të rinj”.
Së treti, ka nënvizuar ai, “Akademia Diplomatike gjatë gjithë kësaj periudhe ka intensifikuar dukshëm angazhimet e saj në funksion të rritjes të profesionalizmit të shërbimit diplomatik. Vetëm gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, në bashkëpunim me mbi 24 organizata ndërkombëtare, akademi të huaja dhe institucione diplomatike, nëpërmjet programeve profesionale nga disa javore deri në një vjeçare, janë kryer dhe vijojnë të kryhen mbi 30 kurse trajnimi për më shumë se 45 diplomatë të rinj në vende si Bullgari, Çeki, Estoni, Holandë, Gjermani, Indi, Kroaci, Malajzi, Mal i Zi, Turqi, Zvicër, mes tjerash. Kjo është po ashtu një masë shtesë në shërbim të rritjes të kapaciteteve profesionale të diplomacisë shqiptare”.
“Shumë shpejt komunikojmë një varg masash të reja në funksion të transformimit cilësor të diplomacisë së Shqipërisë! Përndryshe, ndjehem tepër i lumtur të shoh studentët ekselentë dhe diplomatët e rinj të shërbimit duke shkëlqyer në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë nëpër botë”, ka theksuar Cakaj.
/gj.mima/ /a.g/












