TIRANË, 24 qershor/ATSH/- Shqipëria ka marrë masat e saj ligjore e teknike për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm.
Kështu theksoi Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marka, në Konferencën 3 ditore të Kryetarëve të Gjykatave Supreme dhe Prokurorëve të rajonit, që po zhvillohet në Mal të Zi.
Duke folur mbi mbrojtjen penale juridike dhe mekanizmat e luftës kundër terrorizmit dhe migracioneve të paligjshme, Marku u shpreh se “në Shqipëri, nga hetimet e deritanishme, rezulton se personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike. Pra, janë njerëz, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë”.
“Në vende të ndryshme ka arsye të ndryshme se përse individët i bashkohen grupeve të terrorit. Pavarësisht arsyeve, sapo këta individë bashkohen me terroristët, kanë një të përbashkët të frikshme, nga ai moment kthehen në vrasës potencialë”-, u shpreh Marku.
Megjithatë, vijoi ajo, vlen të theksohet e ritheksohet se këto fenomene nuk luftohen nëse shtetet nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin.
“Bashkëpunimi duhet të jetë shumë i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me një shkëmbim intensiv informacionesh”-, përfundoi Marku./k.s/ /a.g/














