Ballina Flash

“Dialog në Muri”, prezantohen tre botime të Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Tre libra botime të Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL) u prezantuan ditët e fundit në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, gjatë aktivitetit të titulluar “Dialog në Muri” një nismë e re kjo e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër.

Konkretisht u prezantuan “Kosova: Histori e pranishme e një shteti të ri”, (Kosova: Histoire présente d’un nouvel état),”Rrënjë për tu rritur gjetiu”, botim në gjuhët frënge dhe shqipe), “Urtësi nga Kosova” (botim në gjuhët shqipe, frënge, gjermane, italiane dhe angleze.)

Librat u prezantuan nga Driton Kajtazi, Drejtor i ISEAL dhe dr. Olivier Meuwely, historian, shef i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kantonit të Vaud, autor, anëtar i Këshillit të Fondacionit ISEAL.

Në përshëndetjen e tij ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni uroi ISEAL dhe njëkohësisht falënderoi gjithë bashkëpunëtorët e kësaj organizate për kontributin e tyre të çmuar ndër vite jo thjesht dhe vetëm në ruajtjen e pasurimin e vlerave tona kombëtare në diasporë, por dhe çka është shumë e rëndësishme, për rolin e tyre të pamohueshëm si urë lidhëse mes komunitetit shqiptar dhe atij zviceran, e për më tepër si një instrument i pazëvendësueshëm integrimi i shqiptarëve në Zvicër e më konkretisht në kantonin e Vaud.

Më tej, ai nënvizoi faktin se librat që prezanton janë një shembull i qartë i përçimit të vlerave tona si komb, përpjekjeve të vazhdueshme tonat për të ecur pa ngurruar në rrugën e ndryshimeve, barazisë, tolerancës, shkencës dhe zhvillimit, trasuar prej figurave më të ndritura të kombit tonë me dëshirën që të jetojmë përherë të bashkuar, në harmoni me njëri-tjetrin, duke kujtuar me krenari të kaluarën, duke mbrojtur të tashmen dhe duke ndihmuar të ardhmen.

Ambasadori Gjoni po ashtu foli për nismën e re të Ambasadës që quhet “Dialog në Muri”, përmes së cilës synohet të organizohen, në intervale të rregullta kohe, diskutime e debate lidhur me problematikat që has diaspora shqiptare, çështje të integrimit të brezave të rinj, si dhe aspekte të ekonomisë, politikës se jashtme të Shqipërisë e Kosovës dhe ndërveprimit mes diasporës dhe vendit amë./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMatura Shtetërore, publikohen rezultatet e provimit të gjuhës së huaj
Artikulli tjetërFoto/ Nisi të prodhonte proteza për të dëmtuarit e luftës, sot i njohur edhe jashtë kufijve