TIRANË, 17 qershor /ATSH/ – Teksa ka vijuar me takimet elektorale në zona të ndryshme të Bashkisë Bulqizë, kandidati socialist për kryetar të bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i është përgjigjur njërit prej banorëve të fshatit Ostren i Vogël, në lidhje me mundësitë e turizmit që ka kjo bashki.
Sipas Allës, zhvillimi i turizmit është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Shfrytëzimi i plotë i potencialeve që ofrojnë burimet natyrore, duke nxitur zhvillimin e zinxhirit të turizmit, si dhe shndërrimin e tij në burim punësimi dhe mirëqenieje për banorët e bashkisë Bulqizë. Bulqiza është një nga zonat më të pasura në vend për sa u përket monumenteve natyrore dhe kulturore”, u përgjigj Alla.
Duke vijuar më tej, Alla tha se, “në këtë drejtim prioritetet e mia janë hartimi i një strategjie turizmi në nivel lokal nga specialistë të fushës; Formimi i Grupit Lokal të Veprimit “Bulqiza Turistike” për promovimin dhe zhvillimin e turizmit malor nëpërmjet planifikimit strategjik, koordinimit dhe menaxhimit të aktiviteteve, duke qenë në linjë me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe kulturore; krijimin e një zone me turizëm malor dhe thithjen e turistëve vendas dhe të huaj; krijimi i shtigjeve turistike, si p.sh. krijimi i shtegut turistik Liqeni i Zi, Ujëvara e Duriçit, Mali i Dhoksit etj.; përfshirja e Bulqizës në ofertat e agjencive profesionale që ofrojnë shërbime në fushën e turizmit; nxitja e subjekteve private për të investuar në ngritjen e një piste skish në Malin e Bardhë, etj.”.
/gj.mima/ /a.g/













