Ballina Flash

Meta gaboi rëndë, por është pjesë e planit

TIRANË, 14 qershor/ATSH/- Akti i Presidentit Ilir Meta është befasi për historinë e Republikave Parlamentare në botë, jo në Shqipëri.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorët e njësisë nr.11 në Tiranë, ku shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj dhe deputeti i PS-së, Ulsi Manja.

Duke u ndalur tek dekreti i Metës, të cilin e cilësoi sërish në kundërshtim me ligjin, Rama theksoi se “e rëndësishme është që nga pikëpamja ligjore gjërat të bëhen siç duhet e ne mos ti përgjigjemi paligjshmërisë me paligjshmëri sepse aty ka marrë fund”.

“Në fund të ditës shtetin si koncept e mban firma, fjalën e merr era, firmën se merr era e hodhe firmën nuk mund ti kthehesh firmës tënde”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “Meta gaboi shumë, por është pjesë e planit nuk është gabim, nuk është lajthitje. Kur ne bëmë marrëveshjen me Lulzim Bashën ne ishim duke shkruar këtë aktin e marrëveshjes dhe zyra e Bujar Nishanit merrte ne telefon bini letrën e konsensusit për të shtyrë datën një javë, që atëherë marrëveshje u bë në mes të natës. Kemi shkruar letër e kemi firmosur bashkë, e çuam në Presidencë, pastaj Nishani nxori dekretin e ri”.

I pyetur nga banorët për zgjedhjet e 30 qershorit Rama tha se “e vërteta është se çfarë thonë ata me njëri tjetrin dhe çfarë flasin kur flasin me ne thonë se nuk i fitojmë dot zgjedhjet me ju. Pastaj janë ata kryesorët e kësaj pune që kanë tjetër hall nuk po i shqetëson shumë as Saliun, as Ilirin se po humb Luli zgjedhjet lokale. Shqetësimi i tyre është se po ecën gjërat normalisht po s’pati anormalitet, zhurmë, sherr, konflikt hapen negociatat dhe fillon kapitulli 23 dhe 24, që janë drejtësia”./k.s./

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Frozen 2”, nga nëntori në kinematë botërore
Artikulli tjetërKorçë/ Filo inspekton punimet në rikonstruksionin e dy rrugëve