Ballina Aktualitet

Deputetët e Bundestagut takim me Spiropalin, Gjonajn dhe Manjën

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Një delegacion gjerman i Grupit Parlamentar për Bashkëpunimin Gjermani-Europë Juglindore po viziton Shqipërinë këto ditë.

Sot ata zhvilluan një takim me Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Sot me një përfaqësi deputetësh të Bundestagut gjerman”, është shprehur Spiropali pas takimit.

Ditën e djeshme, deputetët e Bundestagut zhvilluan një takim me Kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku theksuan se, “e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është një prioritet i vazhdueshëm i Bundestagut.

“Bundestagu është njohur me vlerësimin e Komisionit Europian, i cili rekomandon hapjen pa kushte të negociatave. Por për arsye kohe, do ta shqyrtojmë këtë rekomandim në vjeshtë”, tha kryetari i grupit parlamentar, Josip Juratovic.

Ndër mesazhet për politikanët shqiptarë ai u shpreh se, “të gjithë ju duhet ta kinit të qartë se bojkotimi i parlamentit është i papranueshëm, për standardet tona demokratike. Është njësoj sikur besimtarët të braktisin kishën e tyre. Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë dhe kërkojmë vetëm të na bëni të qartë cilat janë nevojat tuaja prioritare. Parlamentarët duhet të jenë gjithmonë shprehës të interesave të qytetarëve. Ne do t’ju ndihmojmë edhe për përgatitjen për të negociuar, për fuqizimin e parlamentit, demokratizimin e partive politike dhe konsolidimin e shoqërisë civile. Gjatë një ndeshjeje mund të bëhen gabime, por loja nuk ndërpritet dhe ndeshja nuk braktiset”.

Ndërkohë sot në orën 14:00 tre deputetët e Bundestagut gjerman, kryetari i grupit parlamentar, Josip Juratovic, zv/kryetarja, Renata Alt dhe anëtari, Hansjörg Müller do të mbajnë një konferencë për mediet në Ambasadën gjermane në Tiranë.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKapet me qëllim ekstradimi një shtetas kinez
Artikulli tjetërRriten të ardhurat nga importi i naftës dhe cigares