Rriten të ardhurat nga importi i naftës dhe cigares

Të ardhurat nga zhdoganimi i naftës zunë 20,75% të totalit të të ardhurave doganore

TIRANË, 12 qershor /ATSH/- Ritmet e rritjes se të ardhurave buxhetore ka vijuar edhe përgjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se, në tremujorin e parë të vitit doganat arkëtuan 7.3 miliardë lekë nga importet e karburanteve, shifër kjo në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Gjithashtu në trend rritje janë edhe treguesit e arkëtimit për importin e cigareve, naftës dhe nga akciza.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në tremujorin e parë të vitit doganat arkëtuan 4.6 miliardë lekë nga importet e cigareve.

Ndërsa të ardhurat nga zhdoganimi i naftës zunë 20,75% të totalit të të ardhurave doganore dhe arkëtimet nga cigaret zunë 13,13 % të totalit.

Rritja e prodhimit vendas të naftës nga rafineritë të përpunimit, ka bërë që në 3-muajt e parë të vitit, doganat të rrisin arkëtimet edhe nga akciza e karburantit.

Rreth 1.7 miliardë lekë, arkëtuan doganat nga akciza që u pagua për karburantin e prodhuar në vend, shifër kjo me trend në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.