Siguria ushqimore, AKU vijon kontrollet në të gjithë vendin

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ – Në kuadër të planit vjetor të inspektimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vijuar kontrollet për zbatimin e ligjshmërisë në operatorë të biznesit ushqimor që tregtojnë produkte të qumështit dhe njësi tregtimi (markete).

Kontrollet e ushtruara nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për qarkun Korçë evidentojnë se: Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Poli Baci” (Menkulas, Devoll) me aktivitet përpunim qumështi u konstatua se subjekti ishte objekt i pagimit të TVSH, por zhvillonte aktivitetin e tij pa u pajisur me licencën përkatëse. Gjithashtu subjekti nuk dispononte certifikatat veterinare të qumështit si lëndë e parë; mungonte ambienti për pranimin e lëndës së parë dhe depozitimit të mjeteve të pastrimit; mungonin kartat teknologjike si dhe nuk ishte rinovuar analiza e ujit. Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit u morën edhe këto masa:

Gjobë ne vlerën 1.000.000 lekë për zhvillimin e biznesit në një stabiliment të paregjistruar.

Gjobë në vlerën 100.000 lekë, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.

Gjobë ne vlerën 200.000 lekë, për veprime të operatorit të biznesit në kundërshtim me ligjin

Bllokim i sasisë prej 100 kg djathi kaçkavall dhe 200 kg djathë i bardhë.

Bllokimi i aktivitetit për shkak të ushtrimit të tij në kundërshtim me ligjin.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin Aurel Zyryku (Bilisht) me aktivitet supermarket, në ambientin e magazinimit të ushqimeve u konstatuan kushte higjienike të papërshtatshme (muret dhe tavanet ishin me material që nuk pastrohej lehtësisht, po kështu edhe dyshemeja). U konstatuan mbetje të brejtësve dhe shpendëve si dhe u gjetën 150 kg niseshte, 150 kg oriz dhe 500 kg miell gruri pa fletë analizë dhe të dëmtuar nga brejtësit të cilat u bllokuan me destinacion asgjesimin.

Nisur nga shkeljet e gjetura ndaj subjektit u morën masat si më poshtë:

  1. Gjobë në vlerën 200.000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
  2. Gjobë në vlerën 300.000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare,
  3. Bllokimi i aktivitetit për shkak se ushtrohej në kundërshtim me ligjin.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Selami Mehmeti” (Pogradec) me aktivitet njësi tregtimi u gjenden produkte pa dokumentacion përkatës për gjurmueshmërinë si: Raport Prove dhe Fatura Tatimore. Nisur nga kjo shkelje ndaj subjektit u morën masat si më poshtë:

  1. Gjobë në vlerën 100.000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
  2. Bllokim i sasisë 24 kg kripë, 45 litra ujë, 13 litra lëngje frutash dhe 18 litra pije energjike.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.