Ballina Flash

Shkodër – Zbulohet skema e falsifikimit, procedohet një punonjës i policisë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/- Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve disa mujore zbuluan dhe goditën një skemë mashtrimi ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie nga DVP Shkodër, që merren me shërbime ndaj të tretëve.

Hetimi zbuloi se disa shtetas që aplikonin për përfitimin e certifikatave si punonjës të shërbimit të SHPSF-ve, dyshohet se janë pajisur me dokumente të falsifikuara duke anashkaluar procedurat verifikuese e trajnuese të detyrueshme, si Akademia e Sigurisë, Shoqëritë Private të Sigurisë të licencuara për trajnime, si dhe Komisionin e Certifikimet në DVP Shkodër.

Në vijim të procedimit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” (për arsye shëndetësore), ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar V.N., me detyrë Specialist për Shërbimin ndaj të Tretëve, në DVP Shkodër.

SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë skemë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre, si dhe ndaj shtetasve që kanë përfituar certifikata në kundërshtim me ligjin për ushtrimin e këtij profesioni në subjektet e SHPSF.

SHÇBA nxit e fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIndeksi i çmimit në ndërtim u ul me 0,3%, në 3-mujorin e parë 2019
Artikulli tjetërProkuroria nis hetimet për nxjerrjen e sekretit hetimor