TIRANË, 31 maj/ATSH/ Fusha e Porto Romanos së shpejti do të kthehet në një park të ri për banorët e Durrësit, duke e transformuar atë në një hapësirë të gjelbër.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të këtij projekti, që pritet të ndikojë në përmirësimin e mjedisit dhe ajrit në zonën e Durrësit.
“Mirëmëngjes dhe me këtë prezantim të projektit tanimë të përfunduar të transformimit të një vatre të stërvjetër ndotjeje e turpi për Durrësin turistik, në një mushkëri të gjelbër e park atraksionesh për të gjitha moshat, ju uroj një ditë të qetë”, tha Rama.
Nga djegia e mbetjeve pa ndërprerje për 24 orë të ditës, ndotja e kanaleve kulluese, ndotja e ujërave të zonave kufitare dhe atyre nëntokësore, kjo fushë do të transformohet tërësisht.
Eco Park Durrës ka një sipërfaqe prej 155 mijë metra katrorë dhe do të ketë parking, zona aksesi dhe zona teknike.
Po ashtu parashikohet të ketë ambiente sportive përfshirë 3 fusha basketbolli, 1 fushë minifutbolli, 2 fusha tenisi.
Eco Park do të ketë po ashtu një kopsht botanik, climbing wall-in më të lartë në Ballkan 28 m, kodrat me hapësira ekologjike, kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive etj. /m.m/ /a.g/






















