TIRANË, 31 maj /ATSH/ – Antonio Conte është zyrtarisht trajner i “Interit”. Njoftimi u bë nga klubi zikaltër në sajtin e zyrtar në orët e para të kësaj të premteje.
Trajner nga Puglia, që vjen pas eksperiencën me “Chelsea”-n në Premier League, me një titull kampion të fituar dhe një FA Cup, zëvendëson Luciano Spallettin. Në njoftimin e “Interit”, ndër të tjera, shkruhet:
“Janë veprimet, vështrimet, detajet që përcaktojnë Antonio Conten. Një jetë dedikuar futbollit, që kur ishte i vogël. I apasionuar dhe i dashuruar me topin deri në atë sa për të u bë objektivi që duhej ndjekur, si futbollist dhe si trajner, duke lënë shenjë në fushë dhe pankinë…”
Conte ka firmosur kontratë 3-vjeçare me “Interin” dhe do të përfitojë 12 milionë euro në sezon.
“Jam i sigurt se Antonio Conte është një nga trajnerët më të mirë që ekziston, do të na ndihmojë të arrijmë qëllimin tonë që është gjithmonë i njëjtë: ta bëj këtë klub përsëri ndër më të mirët në botë“, – u shpreh presidenti Steven Zhang.
Ndërsa trajneri italian theksoi, “fillon një kapitull i ri në jetën time, jam entuziast. Do të përpiqem që me punë të shpërblej besimin e presidentit. Zgjodha ‘Interin’ për seriozitetin dhe ambicien e projektit, për historinë e këtij klubi. Më goditi qartësia e klubit dhe dëshira për të kthyer ‘Interin’ aty ku e meriton”.

/gj.m/























