Ballina Aktualitet

Shqipëria progres të jashtëzakonshëm, meriton hapjen e negociatave

TIRANË, 28 maj /ATSH/ – “Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në avancimin e prioriteteve dhe meriton hapjen e negociatave”.

Kështu deklaroi Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë takimit të Grupit të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.

Cakaj gjithashtu, vuri në dukje se Shqipëria e sheh dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal si një ndër elementët kryesorë që bashkuan rajonin dhe e pozicionuan atë në rrugën e duhur të integrimit europian.

Nga ana tjetër, Ministri në Detyrë vlerësoi se është e domosdoshme që Bashkimi Europian të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar angazhimin e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi, ritmi i reformave dhe prosperiteti ekonomik e social.

Kryediplomati shqiptar shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga vendet e Grupit të Vishegradit, jo vetëm përmes dialogut politik, por edhe përmes projekteve konkrete.

Ministrat e jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën europiane të vendeve të rajonit tonë.

Në fokus të këtij takimi ishte gjithashtu mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRritja e sigurisë, policia takime sensibilizuese me nxënësit e shkollave
Artikulli tjetërPatos/ Ndërhyrje në përroin e Lagjes së Re, evitohen përmbytjet