Ballina Aktualitet

Arba Kokalari, deputetja e parë shqiptare në Parlamentin Europian

TIRANË, 27 maj /ATSH/ – Arba Kokalari do të jetë deputetja e parë shqiptare që ulet në Parlamentin Europian, e zgjedhur me votat e qytetarëve suedezë. Partia e saj Moderatore mori 17.6 % të të gjitha votave, rezultat ky që i garanton 4 deputetë, mes tyre dhe asaj të shqiptares.

Meta: Arba Kokalari, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar Arba Kokalarin për zgjedhjen e saj si eurodeputete në Suedi. “Arba Kokalari, shqiptarja e parë eurodeputete, i bën të lumtur të gjithë shqiptarët dhe meriton mirënjohjen e tyre, jo vetëm si model suksesi në Suedi, por edhe përfaqësimi dinjitoz në Europën e Bashkuar”, shprehet Meta.

Lidhur me këtë arritje historike për shqiptarët ka reaguar dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili shprehet se, “Arba Kokalari do të jetë deputetja e parë shqiptare që ulet në Parlamentin Europian. Ajo është zgjedhur për të përfaqësuar Suedinë në PE, në zgjedhjet që u mbajtën dje”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Arba Kokalarin për zgjedhjen e saj si eurodeputetja e parë shqiptare

“Të dashur miq, sapo urova në telefon Eurodeputeten e parë shqiptare, shqiptaro-suedezen Arba Kokalari që u konfirmua pak çaste më parë si fituesja e mandatit të eurodeputetes për partinë e Moderatëve suedezë, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane!”, shprehet Basha.

“Natë e paharrueshme për Arbën dhe familjen e saj, natë fitore për Moderatët që konfirmuan 4 eurodeputetë dhe natë historike për të gjithë ne shqiptarët që inagurojmë me Arba Kokalarin praninë shqiptare në ulëset e Parlamentit Europian!”, thekson kreu i PD.

Krenar dhe i lumtur me fitoren e Arbës, Basha i shpreh mirënjohjen e tij të gjithë bashkatdhetarëve tanë Suedi që me votën e tyre e mundësuan këtë moment historik.

Arba Kokalari, ka lindur në Shqipëri dhe më pas u zhvendos drejt Suedisë, pasi i ati, nipi i Musine Kokalarit kishte funksionin e ambasadorit të Shqipërisë. Për shumë vite Kokalari ka qenë e angazhuar me rininë e PPE-së dhe disa herë ka qenë zëvendëspresidente.

Ndërkohë që vetë Kokalari ka ndarë disa foto dhe në rrjetet sociale, teksa shprehet shumë e lumtur për këtë arritje të saj.

/gj.mima/ /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakModernizimi i Urgjencës Mjekësore, shkurtohet koha e pritjes për qytetarët
Artikulli tjetërGREQI – Takim Cipras-Pavlopulos për zgjedhje të parakohshme