GREQI – Takim Cipras-Pavlopulos për zgjedhje të parakohshme

ATHINË, 27 maj /ATSH-ANA/ – Kryeministri dhe kreu i partisë SYRIZA Aleksis Cipras tha se pas raundit të dytë të zgjedhjeve të së dielës për pushtetin lokal, ai do të takohet me presidentin, Prokopios Pavlopulos për të kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të përgjithshme, ndoshta më 30 qershor.

”Qeveria ka kaluar vështirësi të pashembullta gjatë katër viteve të kaluara”, tha Cipras dje në mbrëmje duke bërë thirrje për zgjedhje të përgjithshme pas rezultateve zhgënjyese të zgjedhjeve për  Parlamentin Europian dhe atyre lokale.

Cipras tha se e nxori vendin nga programet fiskale dhe se “më në fund arritëm të ngrihemi në këmbë”.

“Ne i paraqitëm popullit grek një plan për të nesërmen, një plan lehtësimi për shumë njerëz dhe një plan ringjalljeje për ekonominë greke”, theksoi kryeministri.

“Ne me guxim i kërkuam popullit grek të ketë besim në planin tonë për masat lehtësuese, ristrukturimin e shoqërisë dhe të vendit”, vuri në dukje ai.

”Prandaj, askush nuk mund të presë  ndonjë mundësi për ta kthyer vendin në të kaluarën e errët”, tha Cipras./ p.s. a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.