LONDËR, 22 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministja britanike, Theresa May nuk ia doli mbanë të bindte as shumicën dhe as opozitën në Parlament për një plan të saj si mundësia e fundit për të vënë në zbatim Brexit, i kritikuar nga të gjitha anët, duke e gjetur sërish veten në një situatë pa zgjidhje.
Liderja konservatore duhet të përballet në mesditë me ”zjarrin” e pyetjeve të deputetëve, përpara se të mbrojë planin e saj, një ditë para zgjedhjeve europiane që do të startojnë në Britaninë e Madhe dhe Holandë, shtetet e para që nisin votimin.
Takimi i ”Komitetit 1922”, përgjegjës për organizimin e konservatorëve mundet të rrisë edhe më shumë presionin ndaj Theresa May, të thirrur ndërkohë javën e kaluar nga ky organ për të përgatitur largimin e saj.
Dje, kryeministrja imponoi deputetët për të mbështetur planin e saj.
Sipas saj, bëhet fjalë për shansin e fundit për të respektuar vullnetin e britanikëve, të cilët votuan 52% për daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Europian në qershor 2016.
Deputetët kanë kundërshtuar tri herë radhazi marrëveshjen e Brexit të finalizuar mes May-it dhe Brukselit.
Për të shmangur një dalje pa marrëveshje, largimi nga BE-ja, i planifikuar në fillim më 29 mars, për rrjedhojë u shty dy herë, me përcaktimin e 31 tetorit si data e fundit.
Një shtyrje që shkaktoi indinjatën e disa mbështetësve të këtij divorci historik dhe që detyroi qeverinë për të organizuar në mënyrë urgjente futjen në zgjedhjet europiane./ /v.b/ a.jor.























