Ballina Ekonomi

Industria kryeson kredinë për bizneset

TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Në tremujorin e parë të vitit 2019, kredia për biznese u rrit me 6 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shumica e kredisë shkoi për financimin e sektorit të industrisë.

Rritja e këtij sektori balancoi tkurrjen e portofolit në sektorin e bujqësisë dhe atë të shërbimeve të tjera. Kredia për industrinë me bazë vjetore u rrit me 9,3%. Ndërkohë, sektori i ndërtimit shfaqi një rritje të moderuar me 0.8 miliardë lekë, kurse ai i tregtisë konfirmoi një rritje të ngjashme me tremujorin paraardhës prej 1.7 miliardë lekë.

Sipas BSH-së, portofoli i kredisë për bujqësinë dhe shërbime të tjera kanë mbetur në nivelet e një viti më parë, përkatësisht 1,4% dhe 15%

Në 3-mujorin e parë përmirësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese është mbështetur më së shumti nga kredia për biznesin e madh, e cila u rrit me rreth 4.2 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë.

Në terma vjetorë, kredia për korporatat u rrit në 4,7% përkundrejt 2,2% të shënuar në muajin dhjetor. Kredia për ndërmarrjet e Vogla dhe Mesme është ngadalësuar, duke dhënë një kontribut më të vogël në zgjerimin e portofolit të kredisë këtë tremujor. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia rrugore kontrolle në Tiranë, shoqërohen 18 drejtues mjetesh
Artikulli tjetërMeta: Kosova e ka merituar prej kohësh heqjen e vizave