Policia rrugore kontrolle në Tiranë, shoqërohen 18 drejtues mjetesh

TIRANË, 21 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, përgjatë gjithë javës, kanë organizuar patrullime policore, kryesisht për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, me shpejtësi mbi normat e lejuara, mos rregullimi i shpejtësisë veçanërisht në qendrat e banuara, duke përdorur të gjitha pajisjet speciale që disponon shërbimi i policisë rrugore.

Nga verifikimet dhe kontrollet policore, në funksion të parandalimit, janë evidentuar dhe proceduar: 18 drejtues mjetesh të arrestuar në kushtet e flagrancës, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga të cilët 14 në gjendje të dehur dhe 4 të pa pajisur me leje drejtimi. Janë pezulluar 70 leje drejtimi, nga të cilat 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 20 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 18 për shkelje të tjera të ndryshme.

Janë proceduar administrativisht 13 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi.

Në zbatim të Planit Operacional për Kontrollin e mjeteve me targa të huaja (angleze) janë shoqëruar për verifikime të mëtejshme nga strukturat e tjera të policisë 14 automjete, nga të cilat 12 prej tyre janë proceduar administrativisht për mangësi në dokumentacion dhe tejkalim të afatit të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë. Janë ndaluar administrativisht 82 mjete për detyrime administrative të pashlyera, si dhe janë vendosur 2900 masa të tjera administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.