VJENË, 18 maj /ATSH-ANSA/ – Hans-Christian Strache dha sot dorëheqjen nga posti i zëvendëskancelarit të Austrisë.
Në një konferencë shtypi, lideri i FPOE-së njoftoi se kishte dhënë dorëheqjen pasi kishte takuar kancelarin Sebastian Kurz dhe pasi kishte denoncuar se ”gazetat kishin pritur dy vite për të kryer këtë atentat politik, vënë në skenë në mënyrë sekrete”.
Pamje të filmuara nga kamera të fshehta në një vilë në Ibiza, në vitin 2017, sipas gazetave gjermane ”Der Spiegel” dhe ”Sueddeutsche Zeitung” tregojnë një takim të Straches me mbesën e një oligarku rus, Aljona Makarowa, e cila ofrohej të investonte rreth 250 milionë euro, sidomos në të përditshmen “Kronen Zeitung”, me para të pista, me prejardhje të panjohur.
“Nëse ajo merr ‘Kronen Zeitung’ tri javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve dhe na nxjerr në vend të parë, atëherë mund të flasim për gjithçka”, thotë Strache në këtë video.
Në fakt, gruaja në video ishte në realitet një e infiltruar dhe takimi në Ibiza një kurth./ a.jor.






















