VJENË, 18 maj /ATSH-APA/ – Shefja e opozitës social-demokrate (SP), Pamela Rendi-Wagner kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache (FPOE), i ekstremit të djathtë, pasi një video e fshehtë tregonte se ky i fundit diskutonte për donacione sekrete për partinë e tij dhe dhënie kontratash publike.
“Ka ardhur koha që kjo gjë të marrë fund. Ka vetëm një rrugë për kancelarin Sebastian Kurz, të shkojë te presidenti”, tha Rendi-Wagner.
Edhe lideri i të gjelbërve në opozitë, Werner Kogler kërkoi gjithashtu dorëheqjen e Straches.
”Partia e Kurzit ka nevojë t’i japë fund koalicionit me FPOE-në”, theksoi ai.
Opozita liberal-konservatore e NEOS kërkoi nga ana e saj zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
”Edhe Strache edhe kryetari i grupit parlamentar të FPOE-së, Johann Gudenus, duhet të japin dorëheqjen”, tha shefja e NEOS, Beate Meinl-Reisinger.
Pamje të filmuara nga kamera të fshehta në një vilë në Ibiza, në vitin 2017, sipas gazetave gjermane ”Der Spiegel” dhe ”Sueddeutsche Zeitung” tregojnë një takim të Straches me mbesën e një oligarku rus, Aljona Makarowa, e cila ofrohej të investonte rreth 250 milionë euro, sidomos në të përditshmen “Kronen Zeitung”, me para të pista, me prejardhje të panjohur.
“Nëse ajo merr ‘Kronen Zeitung’ tri javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve dhe na nxjerr në vend të parë, atëherë mund të flasim për gjithçka”, thotë Strache në këtë video.
Në fakt, gruaja në video ishte në realitet një e infiltruar dhe takimi në Ibiza një kurth./ a.jor.






















