Ballina Ekonomi

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 8,6%

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Eksportet e mallrave dhe të shërbimeve shënuan një rritje prej 8,6% në terma vjetorë, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë.
Vitet e fundit eksportet shqiptare po dominojnë mbi importet duke përmbysur raportin importet mbi eksportin. Importet e mallrave dhe shërbimeve u zgjeruan me 8,4% në terma vjetorë, (kundrejt eksporteve me rritje 8,6%) ku kontributi kryesor buroi nga zgjerimi i importit të mallrave me rreth 8,2% në terma vjetorë.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik me një rritje 4,1% në fund të vitit 2018 ka sjellë rritje të kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi, duke reflektuar rritje të prodhimit vendas dhe eksporteve “Made in Albania”.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e eksportit të mallrave shënoi 18,2%, ndërsa në rastin e eksportit të shërbimeve, rritja shënoi 5,5%.
Ndikimi kryesor ka buruar nga kategoria e “shërbimeve të përpunimit për inpute fizike”, pasuar nga “shërbimet e transportit”.
Nga ana tjetër, është vënë re një gjallërim i eksportit të “shërbimeve të udhëtimit” me rreth 2,2%.
Politika fiskale dhe ajo monetare në sinkron kanë adresuar mundësinë e krijimit të kushteve të favorshme të progresit të biznesit dhe atë të financimit duke sjellë një realitet të ri në rritjen e punësimit dhe të kapaciteteve prodhuese.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, paga mesatare në ekonomi ka ardhur në rritje, paralelisht me të, ecuria e inflacionit bazë drejt konvergimit të objektivit të BSH-së, ndërsa zgjerimi i aktivitetit ekonomik po vijon me terma pozitivë edhe gjatë 4 muajve të parë të vitit 2019. /e.xh/ /a.g/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEUROVISION – Madona mbërrin në Izrael për Festivalin e Këngës
Artikulli tjetërCakaj: Inkurajuese mbështetja e parlamentarëve gjermanë për çeljen e negociatave