Ballina Aktualitet

Basha: Marshim-proteste kundër dhunës dhe zgjedhjeve false

TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ “Ne kërkojmë një të drejtë të pakontestueshme të Kushtetutës tonë, themelin e vlerave europiane, votën e lirë dhe të ndershme” deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu drejtuar protestuesve para selisë së Kryeministrisë.

Sipas tij, “dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama”. “Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Prej 2 vitesh Prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve dhe ndaj të rinjve”, – tha Basha.

Qëllimi i këtij marshimi, sipas tij, “është për të thënë qartë dhe prerë: e refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë”.

“Dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore, sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ne jemi në këtë betejë për Kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari”, – tha Basha.

Ka vetëm një rrugë si do të mbarojë kjo betejë, tha Basha, duke shtuar se “duhet dhe do ta fitojmë betejën për zgjedhje të lira, parlament legjitim dhe qeveri për qytetarët”.

“Rruga jonë drejt Europës mbetet e bllokuar, sepse në Europë shkohet me zgjedhje të lira, dhe jo me drejtësi të kapur që mbron kriminelët e politikanët e korruptuar. I sotmi është një marshim-protestë kundër qeverisë së bërë njësh me krimin, kundër zgjedhjeve false”, – tha Basha.

Ai theksoi se “kjo do të realizohet përmes një qeverie tranzitore me një kryeministër tranzitor”.

Në përfundim, Basha u bëri thirrje protestuesve që të vijojnë marshimin e tyre të protestës duke u ndalur në institucionet kryesore, si te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Kuvendi, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakErion Veliaj regjistrohet në KQZ si kandidat i ASHE për bashkinë e Tiranës
Artikulli tjetërSHBA – Pentagoni livron fonde të ushtrisë për murin me Meksikën