TIRANË, 12 maj /ATSH/-Ndryshe nga produktet bujqësore që jemi mësuar t’i shohim në rritje prodhimi apo eksporti, prodhimi i mjaltit dhe i nënprodukteve të tij duket se po fillon të zërë terren çdo ditë e më shumë jo vetëm në konsumin vendas por edhe në eksport.
Sipas shifrave të INSTAT, prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 8,9 %, gjatë 2018 krahasuar me 2017, ndjekur nga prodhimi i vezëve që u rrit me 2,0 % dhe prodhimi i mishit me rritje 0,1 %.
Statistikat tregojnë se një vëmendje të veçantë po merr mbarështimi bletëve ku vërehet një zgjerim i aktivitetit të fermerëve në disa zona të vendit. Ndërsa po vijon eksporti i mjaltit jo vetëm në vendet e Rajonit, por edhe më gjerë.
Llojet më të rëndësishme të mjaltit që prodhohen në vendin tonë dhe janë mjaft të kërkuara në tregjet e huaja është mjalti i Zadrimës (rajoni i Lezhës). Mjalti më i njohur në këtë zonë është ai i sherebelës.
Mjalti që prodhohet në Pukë ka vlera të larta ushqyese, si pasojë dhe e natyrës dhe diversitetit të bimëve medicinale që gjenden në zonë. Ndërsa mjalti i malit (Tropoja/Korça) është një zgjidhje për shumë ferma të vogla që ndodhen në zonat malore, të cilat nuk kanë shumë mundësi që ta zgjerojnë prodhimin e tyre agrikulturor dhe të shkojnë në treg.
Në vendin tonë, prodhohet edhe mjalti i gështenjave nga Tropoja mjaft të njohura për shijen e veçantë, mjalti i Himarës që mblidhet nga pyjet e Llogorasë, Palasës e deri në Borsh. Ndërsa markë e njohur tashmë e mjalit njihet edhe mjalti i Përmetit dhe mjalti i maleve të Gjirokastrës. e.xh/j.p/













