Ngjarja në Bulqizë, dalin rezultatet e analizave të ujit të pijshëm

TIRANË, 7 maj/ATSH/ – Pas dyshimeve se dhjetëra banorë të Bulqizës u helmuan nga uji i pijshëm, përgjigja nga analizat e kryera nga Instituti i Shëndet Publik ka rezultuar negativ.

“Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë. Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale”, bën të ditur ISHP.

Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës, Instituti ka thënë se duhet pritur rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Ndërkaq, nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, të cilat janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjikë, fiziko-kimikë dhe toksikologjikë (metalet e rënda dhe pesticidet). Këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.