TIRANË, 6 maj/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cilësoi dhimbje të madhe humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife Hasanaj.
Xhaçka shprehet se “në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe”.
“Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura”, – theksoi Xhaçka.
Ministrja Xhaçka ka publikuar edhe një video, të filmuar disa ditë përpara 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga misioni i djemve dhe vajzave të Forcave të Armatosura kontribuojnë në Letoni, në kuadër të Mbrojtjes Kolektive të Aleancës.
Nëntetarja Hasanaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbetën të plagosur edhe komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj./k.s/












