TIRANË, 6 maj/ATSH/ – Kontributi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres.
Këtë theksoi të hënën, zv/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila së bashku me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeten e PS, Senida Mesi pritën në ambientet e Kuvendit deputetët holandezë, Hayke Veldman dhe Anne Mulde.
“Informova për progresin në fushat parësore të rekomanduara në progresraportin e Bashkimit Europian dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë. Shqipëria ka shënuar progres në 5 fushat e rekomanduara”, – tha Hysi pas takimit.
“Shqipëria kontribuon për paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe më gjerë, madje këto misione paqeruajtëse edhe në një vend të BE-së dhe në kohë paqe shkaktojnë viktima, sikurse është humbja e jetës së ushtarakes shqiptare Zarife Hasanit. Lufta kundër krimit të organizuar është sfidë globale. Kontributi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar ka shënuar progres. Krimi i organizuar ndërkombëtar mund të luftohet kur shtetet bashkëpunojnë mes tyre dhe kontribuojnë së bashku në ketë fushë, theksova në fjalën time”, – bëri të ditur Hysi. /j.p/























