TIRANË, 3 maj/ATSH/- Me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive në bashkëpunim me departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Tregu i medies audiovizive, sjellja e audiencave dhe kuadri rregullator”.
Konferenca ishte e ndarë në 3 seanca kryesore, veç asaj plenare, ku temat ishin përkatësisht: tregu i medias dhe operatorët audiovizivë; sjellja e audiencave dhe programacioni; rregullimi dhe vetërregullimi në përgjigje të zhvillimeve teknologjike.
Seanca plenare u përshëndet nga personalitete me kontribut në fushën e medieve audiovizive si akademik Artan Fuga. Akademiku Fuga, pasi përshëndeti organizimin, e vuri theksin te detyrimi i medieve dhe institucione rregullatorë për të respektuar lirinë qytetare.
Fuga vlerësoi kontributin dhe shembullin që AMA ka dhënë në partneritetin mes institucioneve publike dhe forcimin reciprok të tyre.
Nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë konferencën e përshëndeti Vasilika Hysi, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Hysi vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga AMA. Ajo tha se konferenca si këto ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin mediatik të studentëve dhe po ashtu edhe në profesionalizimin e tyre në raportimin e lajmeve dhe në të gjitha hallkat e një medie më të lirë dhe të pavarur.
Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovozive, në fjalën e tij përshëndetëse foli për pika të forta dhe të dobëta gjatë këtyre 20 viteve të AMA-s si institucion.
Ai e vuri theksin e fjalës së tij se AMA këto pesë vitet e fundit ka hyrë në një hulli normale të organizimit institucional dhe që nga viti 2018 e këtej është i fokusuar tërësisht tek çështjet e programacionit.
Sala vlerësoi bashkëpunimin me departamentin e Gazetarisë, i cili i ka shërbyer institucionit për vendimmarrje të drejtë në përputhje me nevojat e tregut dhe me prirjen e audiencës.
Prof. ass. dr. Mark Marku, përgjegjës i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, tha se “konferenca do të sjellë një panoramë më të plotë të tregut dhe peizazhit mediatik, por ajo po ashtu do të ndihmojë edhe për ta përmirësuar këtë panoramë”.
Prof. dr. Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë solli në kujtesë një moment shumë të rëndësishëm në median shqiptare, atë të formimit të departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Ky departament, tha ai, i ka dhënë një dimension të ri komunikimit dhe ka forcuar bashkëpunimin midis studiuesve të medias shqiptare, por edhe më gjerë.
Konferenca u përshëndet edhe nga Muja Ferati, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media të Kosovës, i cili vlerësoi bashkëpunimin me AMA-n dhe u shpreh shumë i interesuar për gjetjet e punimeve të konferencës, punime të cilat do të jenë me vlerë edhe për realitetin e Republikës së Kosovës.
Konferenca do të pasohet me një botim, i cili do të jetë një përmbledhje e të gjithë punimeve shkencore të kërkuesve më në zë të medias. Kjo konferencë ishte frut i bashkëpunimit të studiuesve të medias nga Shqipëria dhe rajoni. /k.s/r.e/












