FOTO/ Glikoja, “mbretëresha” e Përmetit

TIRANË, 26 prill/ATSH-Klotilda Saraçini/ – Përmeti njihet si qyteti i trëndafilave, i verës por veçanërisht është i famshëm për glikonë e veçantë, të  cilën banorët e kanë pagëzuar edhe me emrin “mbretëresha” e zonës së tyre.

Mikpritës i vizitorëve në çdo stinë të vitit, Përmeti nuk mund t’i lërë vizitorët të largohen pa i provuar glikotë e shumëllojshme të gatuara nga amvisat përmetare.

Ky produkt kaq i kërkuar, jo vetëm nga vizitorët vendas, por edhe nga të turistët e huaj, që kur ikin e marrin edhe me vete, e shtyu Krenar Nurçen nga Përmeti të hapë punishten e tij në vitin 2018 në zonën industriale të qytetit të Përmetit, në lagjen “Mejden”.

“Për shumë vite me radhë mendoja të bëja vendin ku sot prodhoj këto produkte, një atraksion të veçantë si nga ana ndërtimore, dhe prodhuese, duke e përshtatur konstruktin e godinës dhe ambientit përreth me karakteristikat e zonës së Përmetit, ku dallohen punimet e gurit të kombinuara me ato të drurit, për ta kthyer në një vend çlodhjeje e kënaqësie me synimin të shijohen nga turistët vendas dhe të huaj prodhimet e veçanta të këtij qyteti”, – thotë për ATSH-në Krenari.

Pas një pune disavjeçare, Krenari arriti të ndërtojë punishten e tij dhe të punojë me dëshirë për të arritur qëllimin e tij.

“Me punën time arrita të krijoj këtë ambient dhe punoj me dëshirë për të kënaqur klientët që kemi nëpër rrethe dhe ata që na vizitojnë shpesh në punishten tonë”, shprehet Krenari.

Ai shton se “prodhimet tona kryesisht i tregtojmë brenda vendit, e më së shumti në qytetin e Tiranës, ku dhe jemi lidhur me disa dyqane që tregtojnë prodhime bio dhe tradicionale”.

Për lëndën e parë, Krenari tregon se e merr në zonat e thella të Përmetit, atje ku natyra i rrit këto pemë në mënyrën e saj të natyrshme e të egër.

“Kryesisht në këto zona mbledhim thanën, mollën e egër, shegën e egër, kullumbrinë, kumbullën e egër dhe shumë fruta të tjera të cilat dora e njeriut nuk arrin t’i spërkasë me herbicide e duke i kthyer këto në prevede, rehani, pekmez, reçel e gliko, siç është ajo e arrës, që ka një vlerë dhe i jep një emër të veçante qytetit të Përmetit, që krahas trëndafilave, prodhon dhe këtë gliko me shije të jashtëzakonshme”, – thotë Krenari.

Përveç këtyre produkteve të veçanta, ai veçon edhe reçelin e qershisë, fikut, ftoit, etj., si dhe glikotë e fikut të egër, të shëngjinës që mblidhen në fazën para pjekjes.

Nga glikotë, shton Krenari, prodhojmë edhe glikonë e nerënxës, qitros, portokallit, shalqirit, patëllxhanit, kumbullës e shumë të tjerave.

Në punishten e tij Krenari ka punësuar disa gra përmetare, që e kanë traditë familjare përgatitjen e glikove.

“Produktet përgatiten nga gratë, që kanë një eksperiencë e traditë familjare, të cilat i kombinojnë me pastërtinë dhe rregullin me të cilat janë rritur”, shprehet Krenari.

E veçanta e glikove, thotë Krenari, “është se ato përgatiten edhe nga pasioni dhe dashuria e grave që punojnë në punishte, gjë që i bënë këto produkte dhe më të shijshme dhe të veçanta”.

Nëse ka diçka për të cilën përmetaret nuk lodhen kurrë së treguari janë llojet e ushqimeve që ato prodhojnë. Në dasma ato kanë zakon që të parën për qerasje të nxjerrin glikonë e arrës, e cila është e mbushur me një thelpi bajameje, pas saj arsenali i ëmbëlsirave vazhdon me glikotë e shalqirit, fikut dhe portokallit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.